Dy persona kanë mbetur të plagosur, të goditur me sende të forta në Borizanë të Krujës. Të dëmtuarit u identifikuan si kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja. Dyshohet se dhuna lidhet me faktin që janë ankuar për një gurore në afërsi të shtëpive të tyre dhe që nga shpërthimet, pësojnë dëmtime. Sipas informacioneve, ata kanë bërë ankesë dhe në polici, por nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.
Gurorja rezulton në emër të Përparim Rrajës, vëllait të deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe është e licensuar.
Një ditë më parë, ata ishin në një lokal duke folur me një prej punonjësve të minave të kësaj guroreje për të kërkuar zgjidhje, por kjo ka çuar në konflikt pasi u dhunuan fizikisht me shkopa bejsbolli, tyta pistolete e grushta.
Mësohet se pasi mori ndihmë mjekësore, Jashar Maja u kthye në shtëpi, ndërsa kushëriri i tij Bilbil Maja ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të dëmtimeve në pjesën e kokës.
Deri më tani janë dy persona të shoqëruar në polici./Top Channel