Lumi Vjosa doli nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit dhe ka arritur në nivelin 9 metra mbi nivelin e detit. Policia largoi tregtarët nga Ura e Mifolit ndërsa situata paraqet rrezik për zonën e Novoselës, ku tokat bujqësore janë nën ujë e rrezikohen edhe banesat.
Raportohet për 100 ha tokë bujqësore të përmbytur dhe 14 banesa nën ujë. Prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar 7.5 metra. Në Vlorë, u ndalua lundrimi i peshkarexhave.
Dalja e lumit Vjosa rrezikon edhe fshatin Ferras në Fier, ku ka shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore. Në Lushnjë dhe Divjake 280 hektarë toka janë në ujë pas daljes nga shtrati të lumit Seman.
Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë dhe rrethuar banesat në Katund të Ri. Në të gjithë qarkun, numri i personave të evakuuar deri më tani raportohet 350. Ata janë vendosur te Konvalishenca.
Në Shkodër ra niveli i ujit i Drinit, por po rritet në lumin Buna. Në Obot nuk kalohet me mjete të vogla. Reshje bore në Llogara, Kukës, Bogë, Theth, Hani Hotit-Vermosh dhe Rrugën e Kombit.
Edhe qarku i Beratit është përfshirë nga moti i keq. Aktualisht bëhet me dije se në këtë bashki për shkak të prurjeve intensive ka dëmtim në një pjesë të argjinaturës në fshatin Velabisht, në skarpatin e rrugës afër urës së fshatit Bilçë. Rreth 230 ha toka bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit
Në njësinë administrative Velabisht dhe atë Otllak, janë 4 banesa me prezencë uji, 1 kopsht fëmijësh dhe 1 qendër shëndetësore në Otllak, si dhe 7 stalla bagëtish e 8 ha serrë.
Në bashkinë Dimal, ka përmbytje të 15 banesave në lagjet Dafina dhe Gur i Bardhë e përmbytje të shkollës “Muhamer Janina”. Tokat bujqësore në fshatin Çiflik gjithashtu janë nën pushtetin e ujit.
Deri më tani janë evakuar 6 familje dhe po vijohet edhe me ndihmen e ushtrisë në lagjen Dafinat për evakuim banorësh.
Në bashkinë Kuçovë ka dalje të lumit Devoll nga shtrati në fshatin Tapi ku ka përmbytur sipërfaqe toke bujqësore.
Reshjet e dendura gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që niveli i lumit Ishëm të rritet sërish gjatë natës.
Niveli i ujit nëpër arat e përmbytura, prej 72 orësh vijon të rritet. Qindra ha tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme janë nën ujë në disa fshatra të Ultësirës të Krujës si: Bilaj, Merqin, Mallkuc, Miliskaj, Gramëz.
Ndërkaq, rreth 20 familje janë të izoluara nga uji, kryesisht në Murqinë.