Kryeministri kanadez, Mark Carney theksoi se “ka përfunduar marrëdhënia e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara, bazuar në integrimin e thelluar të ekonomive dhe bashkëpunimin e ngushtë të sigurisë mes dy vendeve”. Duke folur për gazetarët në Otava pas një takimi të kabinetit, Carney u shpreh se kanadezët duhet “të riimagjinojnë rrënjësisht ekonominë e vendit përballë tarifave të presidentit amerikan Donald Trump“.
Siç theksoi, “Kanadaja do të përgjigjet me tarifa hakmarrëse që do të kenë ndikim maksimal në SHBA”. Dy ditë më parë, Trump njoftoi vendimin për taksën 25% për automjetet e importuara dhe pjesët e makinave. Carney, drejtues i Partisë Liberale, e cilësoi Marrëveshjen origjinale të Produkteve Automobilistike Kanada-SHBA të nënshkruar në vitin 1965, si “më të rëndësishmen në jetën e tij”.
Ka përfunduar me këto tarifa.
Ai theksoi se Kanadaja mund të mbajë një industri automobilistike me tarifat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kushtin që qeveria dhe komuniteti i biznesit të punojnë për të “riimagjinuar” e “riparuar” industrinë. Carney ka ndryshuar planet e fushatës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të ardhshëm, për t’u përballur me detyrimet e fundit të importit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë kanë vendosur pjesërisht një tarifë totale prej 25% për mallrat kanadeze, së bashku me një tarifë po 25%, për të gjitha importet e aluminit e të çelikut. Deri tani, Kanadaja është kundërpërgjigjur me rreth 60 miliardë dollarë kanadezë tarifa për mallrat amerikane.
Mëngjesin e djeshëm, Donald Trump paralajmëroi Kanadanë dhe Bashkimin Europian që të mos i bashkojnë forcat kundër SHBA-ve në luftën tregtare.