Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu ngushëllime për sulmin e armatosur të një dite më parë në një shkollë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Shefi i qeverisë së Prishtinës iu uron shërim të shpejtë të lënduarve. Në këtë sulm të armatosur që u krye nga një nxënës 14 vjeç, tetë të mitur dhe një roje u vranë. Në Twitter, Kurti shkruan:
Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike.
I'd like to express my deepest condolences to the victims of the school shooting in Belgrade and to their families. I also wish a very speedy recovery to those injured in this tragic event.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 4, 2023
Mbrëmjen e djeshme, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu ngushëllime për të gjithë prindërit që humbën fëmijët e tyre, si dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Në oborrin e shkollës “Vladislav Ribnikar”, në qendër të Beogradit u plagosën gjashtë nxënës dhe një mësuese.
Pesë nga të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa një i mitur mbetet në gjendje kritike për jetën. Agresori u arrestua në vendngjarje. Lidhur me motivet e ngjarjes tronditëse nuk ka shumë informacione, ndërsa episode të tilla nuk janë raportuar më parë në Serbi, por përsëriten në Amerikë.