Brenda muajit, Shqipërisë do t’i shtohen 23 mijë doza të tjera të vaksinës anti-COVID të Pfizer-it. Lajmin e jep kryeministri Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan:
Ne do ta lehtësojmë sezonin turistik me se s’bën; do të ngjitemi shumë shpejt në shkallët e larta të klasifikimit në Europë, për volumin e vaksinimit; do ta nxjerrim jashtë Armikun e Padukshëm më shpejt se shumë të tjerë në kontinentin tonë.
Në vendin tonë vijon vaksinimi masiv. Një ditë më parë u kryen 16.617 vaksinime kundër koronavirusit ndërsa në total, numri i tyre ka kaluar 155.400 në Shqipëri.
Ministrja Ogerta Manastirliu bëri të ditur gjithashtu se deri më 19 prill, priten 20 mijë doza të vaksinës së kompanive “Pfizer-BioNTech”. Prej kësaj sasie, 7 mijë të parat do të mbërrijnë në javën e parë të prillit.
Për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, tashmë mund të bëhet kërkesë online në platformën e-Albania. Procedura është e shpejtë, zgjat vetëm pak sekonda. Qytetarët njoftohen përmes një SMS-je në celular ose do të kontakohen nga mjeku i familjes për datën.
Rikujtojmë, se ndërsa në vendin tonë vazhdon vaksinimi masiv i të moshuarve kundër koronavirusit me vaksinën e “Sinovac”-ut u ngritën shqetësime për vdekjen e dy personave në moshë të thyer që sapo e kishin marrë atë.