Aktualitet

Kryeministri Rama përshëndet zgjedhjen e një shqiptari në krye të Kishës Ortodokse!

Kryeministri Edi Rama i shpreh urime Hirësisë së Tij, Joan Pelushi për zgjedhjen si Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare. Në një postim në rrjetet sociale, uron që Zoti ta mbrojë Hirësinë e Tij Pelushi e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve ortodoksë”.

Me kënaqësinë e rrallë të zgjedhjes së një shqiptari ndër më të mirët në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si edhe me urimin e posaçëm për Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin Joan Pelushi, që Zoti ta mbrojë e ta udhëzojë gjithnjë në misionin e Tij të udhërrëfyesit të grigjës së besimtarëve ortodoksë.

Hirësi Joan Pelushi u zgjodh dje Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës. Hirësi Joani u prit me ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik.

Pas shpalljes së emrit, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.

Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do të respektoj traditën e shenjtë e do të përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim, u shpreh Imzot Joani.

Për disa vite, Joan Pelushi ka studiuar në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara. Eshtë diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”. Ka studiuar në SHBA, falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Fan Nolit.

Më parë ka shërbyer si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare. Në këtë detyrë të lartë do të pasojë Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025, në një spital në Athinë.

Në testamentin e tij, Kryepeshkopi Anastas shprehu dëshirën që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të ketë në krye një klerik shqiptar. Kisha Autoqefale Shqiptare njoftoi se mes shumë urimesh, edhe Bartholomeu i Konstandinopojës ka uruar Joan Pelushin, i zgjedhur dje Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Patriarku ekumenik uron kryepeshkopin e Shqipërisë, Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Joan. Fortlumturi, vëlla i shenjtë, sapo morëm në Fanar lajmin e zgjedhjes Tuaj të denjë në Fronin Kryepiskopal të Shqipërisë. Nxitojmë t’ju përgëzojmë nga zemra dhe në pritje të Letrave Tuaja të Nderuara Paqësore, qëndrojmë me shumë respekt dhe dashuri në Zotin, duke ju uruar një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer Kryepriftëror! I denjë!  Vëllazërisht, Bartholomeu i Konstandinopojës.