“Tragjedi e pangushëllueshme”. Kështu e cilëson kryeministri Edi Rama aksidentin e rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.
Në një reagim në platformën X, Rama shkruan se e ka marrë lajmin sapo ka mbërritur në Erevan të Armenisë , ku ndodhet për takimin e Komunitetit Politik Europian.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.
Më herët, edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur ditën e sotme në Durrës, ku humbën jetën 2 fëmijë, u plagos rëndë një tjetër i mitur dhe mbetën të lënduar lehtë 2 të rritur. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj teksa u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave, kërkoi nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë mbi këtë ngjarje të rëndë.
Po ashtu Begaj u bëri thirrje institucioneve që të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullimin rrugor dhe qytetarëve që të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.