Ky që shihni në foto është Nikoll Radaçi, autori i aksidentit tragjik që i mori jetën 2 fëmijëve dhe plagosi rëndë një tjetër në Durrës.
Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi, fëmijët kanë qenë duke luajtur në trotuar, pranë shtëpive të tyre në lagjen 15 të qytetit, kur Nikoll Radaçi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe i ka marrë para.
Detaje të reja janë zbuluar nga aksidenti tragjik në Durrës, ku humbën jetën 2 fëmijë dhe u plagos rëndë një tjetër.
Fëmijët kanë qenë duke luajtur pranë shtëpive të tyre në lagjen 15 të Durrësit, ndërsa korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, bën me dije se aty kanë qenë katër fëmijë, por njëri prej tyre ka arritur t’i shpëtojë përplasjes duke u fshehur pas një biçiklete.
Autori i dehur Nikoll Radaçi ka humbur kontrollin dhe i ka marrë para.
Dëshmitarët i kanë treguar korrespondentes së Top Channel Vali Qyrfyçi momentet e tmerrit në vendngjarje.
“Shteti është për të vënë gjobat. Patrullat vënë gjoba në autostrada, nuk vijnë këtu të kontrollojnë lagjet. Kush i kthen më këta? Shteti gjobit kur nuk është për të gjobitur, jo ata që janë në faj. Duke luajtur letra në trotuar ishin”, u shpreh një nga dëshmitarët.
“Ishin fëmijët e lagjes sonë. Shoferi iku me vrap. Unë s’kam parë në jetën time kështu. Tre fëmijë”, tregon një tjetër.
“Nuk ka më keq se kaq. Tragjedi e madhe. Shteti duhet të marrë masa menjëherë. Ne të gjithë natën rrimë pa gjumë. Këtë gjë e ka bërë gjithmonë ky shoferi”, tha një banori i zonës.
“Asnjë nuk ka ardhur në këtë zonë. Asnjë nuk na e hap telefonin. Edhe video i kemi çuar. Kur marrim policinë e zonës, ata thonë “merr një tjetër”. Ka qenë problematik. I kemi thënë gjithmonë “mos, mos””, tha një banori i lagjes.
“Ka edhe shumë veta të tjerë, janë bërë jetët e njerëzve si pula. Kështu do e fusin Shqipërinë në Europë këta. Fëmijët janë të lagjes”, tregon dëshmitari tjetër.