Rasti i tre policëve kufitarë që Prishtina i konsideron “të rrëmbyer” brenda territorit të Kosovës, reagon kryeministri Rama duke kërkuar që menjëherë të kthehen në shtëpi. Në një postim, shkruan:
1.Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.
2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!
3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre
4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!
5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.
Autoritetet në Serbi nuk kanë ofruar asnjë informacion lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës. Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin serb, në zonën afër Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë. Rashka ndodhet në jugperëndim të shtetit serb, pranë pikëkalimit kufitar me Kosovën.
Policia e Kosovës tha se ata janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në zonën Tresave-Bare, në komunën e Leposaviçit, në vijën kufitare në veri. Ditën e sotme, presidenti serb Aleksander Vuçiç deklaroi se autoritetet serbe u drejtohen në mënyrën e duhur policëve të Kosovës dhe nuk i keqtrajtojnë.
Në një konferencë për shtyp, pas takimit me homologen e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiç u shpreh se të arrestuarit kanë deklaruar se “GPS-ja e tyre nuk ka funksionuar dhe kanë qenë në kërkim të kërpudhave”. Sipas tij, njëri ka thënë se nuk e ka ditur me saktësi kufirin. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë dhe vuri në dukje se është “i habitur nga heshtja e tyre”.