Dy astronautë të Nasa-s “të bllokuar” në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) që nga vera e kaluar, më në fund janë në rrugën e tyre për t’u kthyer në Tokë. Anija Crew Dragon Freedom është shkëputur nga Stacioni Hapësinor për të filluar udhëtimin e saj drejt Tokës. Në bord janë astronautët e NASA-s Suni Williams dhe Butch Wilmore, të cilët mbërritën në ISS në qershor 2024 në bordin e Starliner të Boeing dhe u bllokuan për 9 muaj për shkak të problemeve teknike me anijen.
Me ta ishin komandanti Nick Hague i NASA-s dhe Alexander Gorbunov i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos. Mbërritja e planifikuar për në orën 22:57 me orën tonë në brigjet e Floridës, do të shënojë përfundimin e misionit Crew 9, i cili filloi në shtator me dy astronautë për të lejuar kthimin e Williams dhe Wilmore.
Në qershor të vitit 2024, astronautët Sunita Williams dhe Barry Wilmore nisën një mision për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) me anijen kozmike Boeing Starliner. Ky ishte fluturimi i parë i pilotuar i Starliner-it, por misioni u dështoi për shkak të problemeve teknike, duke i lënë ata të bllokuar në hapësirë për një periudhë të paplanifikuar. Pas disa vonesave dhe shqetësimeve për sigurinë, është vendosur që ata të kthehen në Tokë me kapsulën SpaceX Dragon.
Qëndrimi i gjatë në hapësirë ka disa ndikime të dëmshme për trupin e astronautëve. Sipas ekspertëve nga Baylor College of Medicine, një periudhë e gjatë në hapësirë mund të shkaktojë humbje të densitetit të kockave, masës muskulore, dhe ndryshime në kapacitetin aerobik dhe sistemin e qarkullimit të gjakut. Përveç kësaj, astronautët janë të ekspozuar ndaj rrezatimit të hapësirës, i cili mund të shkaktojë sëmundje të rrezatimit dhe të rrisë rrezikun e kancerit.