Aktualitet Tech

Kujdes, TXEX mbetet aktive/Anëtarët kërcënohen se do të humbasin paratë nëse nxjerrin informacion!

Nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, Policia e Shtetit njoftoi se nisi hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor.

Pas sinjalizimeve mediatike, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), paralajmëroi mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX.

Platforma e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.

Pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve shqiptare, informacioni nga pjesëmarrësit në këtë platformë tregon se vazhdon të jetë aktive në tregtim dhe në postimin e informacionit për grupin e investitorëve në aplikacionin Telegram. Në vijim të një mesazhi të mëparshëm, ku pjesëmarrësve u kërkohej të depozitonin 400 dollarë për “të verifikuar përdorimin e duhur të llogarisë”, përdoruesit kanë marrë mesazhe ku përfaqësuesi i platformës i siguron se do të mund të tërheqin fondet e tyre nga llogaria.

Madje, një mesazh tjetër paralajmëron se çdo anëtar i platformës që “shtrembëron kushtet e përdorimit ose shpërndan informacion të rremë ose negativ do të konsiderohet mashtrues dhe do të përjashtohet nga platforma…duke u cilësuar si përgjegjës për pasojat dhe humbjet e mundshme prej këtij përjashtimi. Ky mesazh duket se përbën një formë presioni për të mos nxjerrë informacion publik.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ende nuk ka dalë me komunikim publik rreth TXEX-it, por në të shkuarën ka këshilluar disa herë investitorët të mos investojnë në platforma të palicencuara në vendin tonë, duke i paralajmëruar se çdo investim në këto platforma mund të rezultojë me humbjen e të gjitha parave të investuara, në mënyrë të pakthyeshme.

TXEX është një plaformë investimesh online, kryesisht në kriptovaluta, që ka karakteristikat e një skeme të qartë piramidale. Individët joshen për të investuar në të nëpërmjet platformave të komunikimit me mesazhe, si për shembull Telegram, Signal, etj.. Më tej, përdoruesit inkurajohen të tërheqin përdorues të tjerë në platformë, duke u ofruar bonuse. Herë pas here, investitorët lejohen të kryejnë tërheqje (zakonisht në shuma të vogla), për të fituar besimin e tyre dhe për ta mbajtur në këmbë skemën.

Shpesh, mashtruesit imitojnë bankat, firmat e investimeve dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve financiare për të bindur viktimën e tyre të bashkohet me një grup bisedash për këshilla investimi. Në këtë grup bisedash, viktimat inkurajohen të rekrutojnë miq e anëtarë të familjes dhe të bëjnë pagesa në platforma mashtruese investimi.