Bota Gossip Lifestyle

Kupë argjendi, shpatë dhe karficë me diamante/ Zbulohen dhuratat që do të shkëmbejë Trump me Mbretin Charles!

Familja mbretërore britanike dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të shkëmbejnë dhurata zyrtare pas drekës së përbashkët që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës së mërkurë. Detajet e dhuratave janë bërë tashmë publike.

Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla do t’i dhurojnë presidentit amerikan një botim të veçantë, të punuar me dorë dhe të lidhur me lëkurë, për nder të 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së.

Gjithashtu, Trump do të marrë edhe flamurin britanik (Union Jack) që valëvitej mbi Pallatin Buckingham në ditën e betimit të tij të dytë si president, në janar të vitit 2025.

Zonja e Parë, Melania Trump, do të marrë si dhuratë një kupë prej argjendi të punuar nga artistja nga Irlanda e Veriut, Cara Murphy, si dhe një çantë të personalizuar nga stilistja e njohur Anya Hindmarch.

Çifti presidencial do të marrë gjithashtu një dhuratë të përbashkët: një kornizë fotografike prej argjendi, e gdhendur me monogramin e tyre.

Nga ana e tij, Presidenti Trump do t’i dhurojë Mbretit Charles një kopje të shpatës së ish-presidentit amerikan Dwight D. Eisenhower, si një “simbol të aleancës historike që luajti një rol vendimtar në fitoren e Luftës së Dytë Botërore”.

Ndërkohë, Mbretëreshës Camilla do t’i dhurohet një karficë vintage nga Tiffany & Co, prej ari 18 karatësh, e dekoruar me diamante dhe rubinë në formë lulesh.