Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
E di çfarë ndodh sa herë thua “Apple s’ka më çfarë të shpikë”? Boom — del lajmi që MacBook Pro po bëhet me ekran OLED dhe prekje! Po, pas më shumë se një dekade “jo nuk na duhet touch”, Apple më në fund po dorëzohet.
Por, mos u gëzo akoma. Kjo nuk vjen tani. Për momentin, kanë hedhur në treg versionin me çipin M5 — i shpejtë, po jo ndonjë revolucion. Modelet me M5 Pro dhe M5 Max priten vitin tjetër, por për ekranin OLED duhet durim: do të vijë me çipin M6, që do të thotë nga fundi i 2026-s, ndoshta edhe 2027.
Pse gjithë kjo zhurmë për OLED? Sepse është ekran që nuk ka ndriçim nga pas – çdo piksel ndriçon vetë. Pra, kontrast perfekt, e zeze reale dhe dritë si në kinema. Po flasim për një ekran që do t’i japë kuptim të ri fjalës “Retina”. Dhe me këtë, vjen edhe një tjetër surprizë: touchscreen! Po, MacBook me ekran që mund ta prekësh, si iPad-i që më në fund mori diplomë për “seriozitet pune”.
Ironia? Steve Jobs e ka thënë vetë dikur: “Askush s’do të dojë të prekë një ekran vertikal.” Epo, duket se koha e ka bindur Apple që ndoshta… dikush do.
Modelet e reja do jenë më të holla, më të lehta dhe — më në fund — pa atë “notch” në krye. Vetëm një rreth të vogël për kamerën, si tek iPhone-i. Dhe nëse çdo gjë shkon sipas planit, 2027 mund të jetë viti kur MacBook Pro kthehet nga “laptop për punë” në “diçka luksi për sy dhe gishta”.