Sa herë që Fondacioni Soros kthehet në debat politik në Shqipëri, pyetja që e shoqëron këtë debat është se kush e solli filantropin George Soros në Shqipëri.
Kandidati i PD-së për deputet, Myslym Murrizi ka publikuar sot një dokument që mban datën 10 janar 1992, pak java para zgjedhjeve të 22 marsit të atij viti që solli në pushtet Partinë Demokratike.
Vendimi i firmosur nga kryeministri i qeverisë teknike të asaj kohe, Vilson Ahmeti përcakton mënyrën se si do të nisë Fondacioni Soros aktivitetin e tij në Shqipëri.
“Këshilli i Ministrave vendosi: për veprimtarinë e fondacionit Soros me emërtimin ‘Shoqata e fondeve të hapura për Shqipërinë”, brenda datës 25 janar 1992, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të sigurojë zyrë, kurse Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare një apartament banimi, i cili të jepet me qira për një vit dhe të paguhet me lekë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kurse zyra të jepet në përdorim pa qira nga kjo ministri”, thuhet në vendimin e firmosur nga Vilson Ahmeti.
Fondacionet “Shoqëria e Hapur” janë krijuar nga Xhorxh Soros, një nga filantropistët më të shquar të botës, i
cili qysh në vitin 1984 ka dhuruar 32 miliardë dollarë të pasurisë personale që e arriti në tregjet financiare.
“Shoqëria e Hapur” ka mbështetur individë dhe organizata nëpër të gjithë globin, të cilët luftojnë për liri
të fjalës, transparencë, qeveri të përgjegjshme dhe shoqëri që nxisin drejtësi dhe barazi. Ky dhurim është
përqendruar shpesh tek ata që diskriminohen vetëm pse cilët janë, të tillë si minoriteti rom i Evropës, dhe të
tjerët që shtyhen në anë të shoqërisë kryesore.
Sorosi e ka përjetuar vetë këtë intolerancë. I lindur në Hungari më 1930-ën, ai jetoi përmes pushtimit nazist
të viteve 1944-45, që rezultoi në vrasjen e mbi 500,000 çifutëve hungarezë. Më 1947-ën, kur komunistët
morën fuqinë në Hungari, Sorosi u largua nga Budapesti për në Londër, dhe më pas emigroi për në Shtetet e
Bashkuara, duke u futur në botën e financës dhe investimeve, ku ai edhe do të bënte pasurinë e tij.
Sorosi e filloi filantropinë e tij më 1979-ën, duke u dhënë bursa zezakëve të Afrikës Jugore nën aparteidin.
Në vitet 1980, ai ndihmoi që të nxiste shkëmbimin e hapur të ideve në Hungarinë komuniste, duke siguruar
aparate fotokopimi për të ribotuar tekste të ndaluara. Mbas rënies së murit të Berlinit, ai krijoi Universitetin
Evropian Qendror si një vend për të kultivuar të menduarin kritik – që në atë kohë ishte një koncept i huaj për
shumicën e universiteteve në shtetet ish-sovjetike.
Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, ai e zgjeroi filantropinë e tij në Shtetet e Bashkuara, Afrikë dhe Azi, duke
mbështetur një sërë të gjerë të përpjekjeve të reja për të krijuar shoqëri më të përgjegjshme, më transparente
dhe demokratike.