Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpreson se do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.
Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas mbledhjes solemne të qeverisë, të mbajtur sot, në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë, tha Kurti.
Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtarisht i propozuar për president është Glauk Konjufca nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Konjufca, zëvendëskryeministër aktual dhe ministër i Punëve të Jashtme e Diasporës, u shpreh se do të ishte mirë që edhe opozita të dilte me një kandidat.
Partitë politike, PDK-ja [Partia Demokratike e Kosovës] dhe LDK-ja [Lidhja Demokratike e Kosovës], duhet të përcaktohen që, nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votojnë? Për besë, nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj.
Sipas tij, opozita mund ta propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.
Kur më 2 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pyet nga gazetarët pse nuk po e propozon Osmanin, ai la të kuptohet se nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se:
Ne duhet të kemi 80 vetë që qëndrojnë në sallë e të votojnë minimalisht. Prioritet absolut kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo të kemi 80, por 84 apo 85, vuri në dukje Kurti.
Një kandidat duhet të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në parlamentin me 120 vende, ndërsa kuorumi arrihet me 80. Nëse në dy raundet e para një kandidat nuk siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton të ketë 61.