Rajoni

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 45-të!

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as sot në përpjekjen e 45-të. Partitë politike vazhdojnë të theksojnë se kanë të drejtë në qëndrime. Në seancë morën pjesë 93 deputetë. Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës akuzoi për shkelje të Kushtetutës, kryesuesin e seancës Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo është e papranueshme, tha Tahiri nga foltorja e Kuvendit ndërsa Dehari kërkonte t’i mbyllej mikrofoni. Akuza kundër Deharit kanë pasur edhe përfaqësues të partive tjera, të cilëve, gjithashtu iu mbyll mikrofoni.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formimin e një komisioni për votim të fshehtë. Kjo me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nuk është kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, kërkon që për Albulena Haxhiun të propozuar për kryeparlamentare të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, Haxhiu do të tërhiqet nga gara.

Kujtojmë se deri tani nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi të mbajtura me votim të hapur. Për disa parti, konsiderohet “figurë përçarëse” dhe “e papranueshme”. Pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan sërish para ndërtesës së Kuvendit duke iu kërkuar deputetëve, përgjegjësi.

Në duar mbanin pankarta me mbishkrimet: “Demokracia nuk është veç procedurë”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “120 rroga, 0 përgjegjësi” e të tjera.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse po ecën afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit. Gykata ka përcaktuar 26 korrikun dhe nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh më tej nëse partitë nuk dakordësohen deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, por situata nuk ka ndryshuar. Osmani e ka përmendur edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.