Aktualitet Politikë

Kuvendi i ri, dominojnë burrat/Shumë juristë dhe ekonomistë e mosha mesatare…

Nga dita e djeshme, Shqipëria ka një Kuvend të ri, të dalë nga zhvillimi i zgjedhjeve politike të 11 majit 2025. Mes 140 deputetëve, përllogariten vetëm 35% gra dhe burrat ruajnë dominancën me 65 %. Shifrat tregojnë respektim të kuotës gjinore të përfaqësimit sipas kërkesave të ligjit, por parlamenti ende mbetet larg barazisë mes grave e burrave.

Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalsorja, iu bashkua për herë të parë Kuvendit të Shqipërisë, si deputete dhe njëherazi si ligjvënësja më e re në moshë. 25 vjeçarja përfaqëson qytetarët e qarkut Shkodër.

Pas saj, më e reja mes 140 deputetëve është Zegjine Çaushi. 27 vjeçarja mban titullin avokat në të drejtën penale dhe në Kuvendin e Shqipërisë përfaqëson qytetarët e Fierit. Sipas statistikave, mosha mesatare e ligjvënësve të kësaj legjislature është 47.

Deputetët e këtij Kuvendi janë të profesioneve të ndryshme.  Në krye të listës qëndrojnë juristët. 35 deputetë kanë studiuar Drejtësi, 31 Ekonomi dhe të tjerët vijnë nga fushat e Mjekësisë, Shkencave të Natyrës, Shkenca Politike, Inxhinieri e Arte.

Në këtë legjislaturë, 25 deputetë mbajnë gradën Doktor i Shkencave, 5 kanë titullin profesor.