Aktualitet

Niko Peleshi, kreu i ri i Kuvendit të Shqipërisë, merr 84 vota pro! Mazhoranca duartroket, opozita proteston

Niko Peleshi do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.

Peleshi ishte sugjerimi i kryesocialistit Edi Rama për të marrë këtë detyrë. Propozimi u hodh në votim të fshehtë në seancën e sotme plenare, ku ia doli të grumbulloi 84 vota pro. 87 deputetë morën pjesë në votim.

Opozita, që ishte kundër emrit të Peleshit për drejtimin e Kuvendit, bojkotoi votimin dhe në vend të fletës së votës, hodhi në kuti pankarta kundër qeverisë ‘Rama 4’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u largua nga Kuvendi pas zgjedhjes së Niko Peleshi në krye të Kuvendit.

Në fjalën e tij për mediat, Berisha u shpreh se nuk ka nevojë për tolerancën e mazhorancës dhe e quajti këtë të premte si “ditën më të zezë në historinë e Parlamentit”.

“Sot, në drejtim të Parlamentit u zgjodh një njeri me pesë dose korrupsioni. Niko Peleshi është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegëset, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëmet kolosale që i ka bërë shqiptarëve. Niko Peleshi është i akuzuar për pronat në Kolonjë dhe zona të tjera kur ka qenë ministër Bujqësie. Nga pikëpamja fizike, ai është një qenie amorfi. Ai në vend ku të shkojë atje ku e ka vendi, ky merr kreun e Parlamentit, vetëm e vetëm se ka vjedhur së bashku me Ramën.