Me shumicë votash, Kuvendi sapo miratoi ndryshimet në aktet normative lidhur me masat anti-COVID-19. Këtu përfshihet shtyrja e qirave me dy muaj për prillin e majin, si dhe falja e drejtuesve të automjeteve e këmbësorëve që shkelën masat e vendosura për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Shoferëve iu bllokuan patentat e iu sekuestruan automjetet, që do t’iu rikthehen ndërsa për ata që pa arsye lëviznin në këmbë e me biçikleta u vendosën gjoba që tashmë falen. Gjithashtu, me 90 vota kaloi Buxheti i ndryshuar për 2020-ën që lidhet me paketën e dytë financiare e shtimin e 7 miliardë lekëve për përballimin e situatës nga COVID. Edhe sot, Kuvendi u mblodh nën masa të rrepta higjeno-sanitare, ndërsa seanca plenare përfundoi para pak çasteve e zgjati rreth tre orë.
Më herët në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se ende jemi në fazë aktive të epidemisë koronavirus. Ndërsa foli për rihapje të kujdesshme, Manastirliu konfirmoi se vijojnë përpjekjet madhore në raport me hetimin agresiv aty ku ka vatra të hapura.