Auto & Moto

Ky vend po hakmerret ndaj tarifave të Donald Trump!

Kanada ka vendosur një taksë doganore prej 25 për qind për importin e disa automjeteve dhe pjesëve të automjeteve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përgjigje ndaj masave të njëjta të marra nga SHBA-ja. Këto janë taksa që do t’u duhet t’i paguajnë konsumatorët kanadezë gjatë blerjes së disa automjeteve apo pjesëve të tyre të prodhuara në SHBA. Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Champagne, konfirmoi se masat hyjnë në fuqi menjëherë pas mesnate të mërkurën, duke theksuar se Kanadaja po përgjigjet ndaj taksave të pajustifikuara dhe të pakuptimta amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pas rikthimit në pushtet, ka nisur një valë të re tarifash doganore, si të përgjithshme ashtu edhe të drejtuara, kundrejt partnerëve kryesorë tregtarë si Kanadaja. Ai pretendon se me këto masa po përpiqet të korrigjojë padrejtësitë në tregtinë globale. Kanadaja nuk është prekur drejtpërdrejt nga raundi i fundit i tarifave amerikane që gjithashtu hyri në fuqi në mesnatë, por prej kohësh është në mosmarrëveshje me Uashingtonin për masat më të vjetra të Trump-it që përfshijnë tarifa për shumë produkte që kalojnë kufirin. “Do të mbrojmë punëtorët tanë, kompanitë tona dhe ekonominë tonë”-shkroi Champagne në platformën X, duke konfirmuar se Ottava po ndërmerr masa kundërpërgjigjeje. Sipas udhëzimeve të qeverisë kanadeze, importuesit do të duhet të paguajnë një tarifë prej 25 për qind.

SHBA ka vendosur tarifa prej 25 për qind për të gjitha automjetet dhe pjesët e importuara. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë automjet, madje as ato që prodhohen në SHBA, për të cilat nuk do të aplikohet tarifa. Thjesht, industria e automobilave është një proces i ndërlikuar që përfshin një sërë partnerësh dhe bashkëpunëtorësh. Mjafton të shikoni vetëm një pjesë të automjetit. Wall Street Journal ka ndjekur udhëtimin e një shufër lidhëse të motorit të një makine dhe ka zbuluar sa e komplikuar është e gjithë historia.