Celebrities Magazine

“Labubu”, si lodra prej pelushi e bëri krijuesin e saj një nga 10 më të pasurit në Kinë?

Një lodër pelushi me pamje të pazakontë, por që ka rrëmbyer zemrat e miliona koleksionistëve, ka transformuar industrinë e lodrave dhe ka futur themeluesin e saj, Wang Ning, në listën e 10 personave më të pasur në Kinë.

Wang, themelues dhe CEO i kompanisë “Pop Mart”, ka arritur për herë të parë në dhjetëshen e miliarderëve më të mëdhenj të vendit, me një pasuri të vlerësuar në 22.7 miliardë dollarë.

Ky sukses i jashtëzakonshëm i atribuohet lodrës virale “Labubu”, një karakter pelushi që shitet në formën e paketave të mbyllura (të njohura si “blind box”), duke krijuar një ndjesi të fortë pritjeje dhe surprize te konsumatorët.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, “Pop Mart” ka gjeneruar 418 milionë dollarë të ardhura nga shitja e “Labubu”, duke e kthyer atë në një ndër lodrat më të suksesshme në Azi. Dyqanet regjistrojnë shpesh radhë të gjata dhe shitjet online arrijnë shifra rekord, falë popullaritetit në rritje të koleksionistëve.

Në rritjen e interesit global ka ndikuar edhe mbështetja nga figurat e njohura të botës së muzikës dhe showbiz-it.

Lisa nga grupi “BLACKPINK” është parë shpesh me një lodër “Labubu” në dorë, duke nxitur një valë të re fansash dhe blerësish nga e gjithë bota.


Me një vlerë tregu mbi 38 miliardë dollarë, Pop Mart po cilësohet si “Disney i ri i Kinës”, për mënyrën se si ka përfshirë elementët e kulturës pop, koleksionimit dhe emocionit të zbulimit në një produkt që dikur shihej thjesht si lodër për fëmijë.

Wang Ning e themeloi kompaninë në vitin 2010 në Pekin, dhe sot, falë një ideje të thjeshtë por tepër të suksesshme, ka hyrë në elitën e miliarderëve aziatikë.