Auto & Moto

Lamborghini zbulon modelin e ri special!

Lamborghini publikoi një njoftim paraprak duke njoftuar mbërritjen e modelit të ri special, i cili do të prezantohet gjatë Javës së Makinave në Monterey më 8 gusht. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, “makina speciale” e Lamborghinit bazuar në modelin Revuelto do të quhet Fenomeno dhe prodhimi do të jetë i kufizuar në vetëm 29 shembuj.

Lamborghini nuk zbulon asnjë detaj, por njoftimi paraprak lë të kuptohet për një pamje “të egër”. Bëhet e ditur se kompania i bëri homazh modeleve të mëparshme speciale, duke përfshirë Reventon të bazuar në Murcielago dhe Centenario të nxjerrë nga Aventador. Ashtu si Revuelta, Fenomeno do të fuqizohet nga një motor V12 6.5 litra i kombinuar me dy motorë elektrikë dhe një transmision me tetë shpejtësi.

Çdo gusht, Gadishulli Monterey i Kalifornisë shndërrohet në një shesh lojërash për ultra të pasurit. Java e Makinave në Monterey është bërë një nga vendet kryesore për premierën e modeleve ultra të kufizuara dhe ultra ekskluzive dhe këtë vit, duket se Lamborghini po vjen me diçka speciale. Sipas informacioneve të fundit, prodhuesi italian po përgatit një model të veçantë që mund të quhet Fenomeno, nga fjala greke për “fenomen”, një spektakël unik.

Premiera pritet gjatë “Pebble Beach Concours d’Elegance” dhe megjithëse Lamborghini ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e kësaj makine, thashethemet u përhapën kur kompania e regjistroi emrin Fenomeno në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian në fillim të kësaj pranvere.