Aktualitet

Lamtumira për Janullatosin/Mitsotakis: Diplomat i dashurisë/Rama: Erdhi si prift nga Greqia, iku si Anastasi i Shqipërisë!

Vijon ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas Janullatos e që drejtohet nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, i pari mes të barabartëve në Kishën Ortodokse. Të pranishëm drejtues fetarë shqiptarë dhe nga mbarë bota e krishterë e politika greke dhe shqiptare. Qindra besimtarë qëndrojnë jashtë, në oborrin e katedrales “Ngjallja e Krishtit”.

Mes lotëve, mbesa Roksana Janullatos i dha lamtumirën Kryepeshkopit Anastas dhe i shprehu falenderime popullit shqiptar për dashurinë e treguar ndaj xhaxhait të saj. Roksana Janullatos deklaroi se kleriku i lartë e deshi shumë popullin me të cilin jetoi për mbi 30 vjet duke theksuar se Shqipëria u bë atdheu i tij i dytë.

Lejomëni t’iu drejtohem vëllezërve të Shqipërisë. Në emër të familjes sonë do të dëshiroja t’ju falënderoj për dashurinë që keni treguar për xhaxhanë tonë gjatë këtyre viteve. Për ne, ai është xhaxhai ynë që gjithmonë na ka mbështetur nga afër dhe nga larg përmes lutjes së tij. Ju e dini se sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë, të vendit që u bë atdheu i tij i dytë.

Jeta e Anastasit ishte dashuri, ofrim, drejtësi, vërtetësi, përulësi, përpjekje, guxim, shpresë. Le të përpiqemi vëllezërit e mi të ndjekim shembullin e tij, që pati dashur për Perëndinë e dashurisë. Dhe le të sjellim ndër mend se dashuria nuk bën dallim mes racave, kombeve, shteteve dhe feve. Krishti u ngjall vëllezërit e mi!

Ceremonia vijoi me fjalimet e kryeministrave Mitsotakis e Rama.

Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë”. Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur, ishin fjalët e shefit të qeverisë greke.

Rama tha se shembulli që ai la duhet të ndiqet nga të gjithë, në të dy vendet.

Të dashur ortodoksë të mbledhur këtu, sot komuniteti ortodoks kudo gjetkë ka zi. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është në zi, por le ta themi sërish gëzohuni gjithnjë në Zotin. Ua përsëris, gëzohuni! Humbët në këtë jetë kryepeshkopin e 33 viteve që përmes fjetjes me Zotin ndërroi jetë. Ishte shprehje që e konsideronte ndër më të bukurat e gjuhës shqipe. Por, ama fituat Anastasin e Shqipërisë, një avokat atje lart pranë Zotit që liturgjia e Shën Joan Gojartit quan mik të njeriut, shembullin e një shërbestari të pajtimit në tokë që na takon të gjithë ta ndjekim në këtë dhe atë anë të kufirit, i cili nuk na ndan aq shumë sa në të vërtetë na bashkon. Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë dhe kjo ditë sjelltë ngushëllimin e Zotit dhe jetës!