Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
A u mbyll metaversi para se ta kuptonim çfarë ishte?
Këtë javë, Meta bëri një kthesë të fortë: rreth 1 500 punonjës u larguan nga divizioni Reality Labs dhe disa studio VR u mbyllën. Për një kompani që, vetëm katër vite më parë, ndryshoi emrin për t’u identifikuar me metaversin, kjo është një tërheqje e pastër.
Problemi real është i thjeshtë: VR nuk u kthye kurrë në platformë masive. Metaversi u prezantua si “rrjeti social i radhës”, me Horizon Worlds dhe syzet VR në qendër. Por produktet dolën shpejt, interesi ishte i vakët dhe humbjet financiare u rritën. Investitorët u lodhën. Përdoruesit nuk erdhën.
Studio që punonin tituj VR si Resident Evil 4 apo Asgard’s u goditën nga problemet; aplikacioni i fitnesit Supernatural kalon në “maintenance mode”; programi i punës në VR, Workrooms, po mbyllet. Ndërkohë, buxheti i VR është prerë deri në 30%.
Pse dështoi? Sepse Meta u soll sikur platforma ekzistonte tashmë. Tarifa 47.5% për shitje digjitale largoi krijuesit. Siguria u mendua vonë. Avatarët pa këmbë u bënë meme. Dhe, ndërkohë, tregu global i syzeve VR ra për të tretin vit radhazi.
Kontrasti është i fortë: syzet AR Ray-Ban po shiten, AI po rritet, dhe fokusi po zhvendoset. Edhe vetë Mark Zuckerberg po e shtyn narrativën drejt inteligjencës artificiale.