Aktualitet

Lana kutërbon erë, parisienet lahen në Senë. “Deri kur me prit ma”?!

Evropa dhe Ballkani janë përfshirë kohët e fundit nga temperatura ekstreme të cilat kanë shkaktuar jo pak probleme, duke përfshirë viktima, zjarre dhe probleme me shëndetin. Duke lënë mënjanë problemet madhore, pasi me forcat e natyrës është vështirë të përballesh, qytetarët e Tiranës, kanë edhe një ‘taksirat’ të shtuar, era kutërbuese e lumit të Lanës.

Të shumtë janë qytetarët të cilët janë të detyruar dhe jo vetëm, të ecin trotuareve të saj për punë, shëtitje apo thjesht sepse rastësia i çon pranë saj. Në këto temperatura ekstreme, ky kolektor në qiell të hapur lëshon një aromë aq të rëndë, saqë nëse je i detyruar të nuhasësh një herë, e vështirë se mund të largosh ndjesinë përherë. Përse pamja e vetme që shikojmë buzë Lanës duhet të jetë vetëm një njeri që bën shu**ën, dhe jo njerëz që të paktën mund të rrinë të qetë buzë lumit, nën një hije, në fresk, se për t’u larë nuk po e çojmë ndërmend.

Mbase po shkoj pak si shumë tutje, a mund të kërkojmë të paktën që të mos vijë erë më. Në gjithë këtë bum inxhinierik dhe inteligjence artificiale, a thua vallë të mos ketë zgjidhje për Lanën, apo vallë thjesht nuk është prioritet?! A thua vallë aroma therëse është e destinuar të përzihet me parfumet dhe djersën e qytetarëve dhe të krijohet një element i ri toksik, pikërisht në Tiranë?!

Sakaq, sot Parisi njoftoi se qytetarët e saj për herë të pare që pas vitit 1920 mund të lahen në lumin Sena. Vendimi vjen pas përfundimit të një fushate të gjerë pastrimi dhe dezinfektimi të ujërave, të kryer nga autoritetet lokale. Uji i Senës tashmë është i certifikuar për larje, duke përmbushur standardet evropiane të cilësisë.

Le të kryqëzojmë gishtat që ‘Shqipëria 2030’ të jetë pa erë, thjesht, kaq, po po vetëm kaq./EdiHallaci!