Nga sot fasha orare e lëvizjes në vend zgjatet deri në 17:30 dhe autorizimet për pazar shkojnë nga 60 në 90 minuta. Po ashtu farmacitë, marketet e bankat mbyllen në 17:30 e jo më në 13:00. Kryeministri Rama bëri të ditur se nëse kurba e infektimeve me Covid-19 do të ketë trend rënës, pritet të shihet mundësia për të zgjeruar lëvizjen me makina private të kompanive që lejohen të qëndrojnë hapur.
Por pavarësisht masave lehtësuese, nuk përjashtohen ndëshkime më të ashpra, për të cilat qeveria ka paralajmëruar ndryshime të Kodit Penal e atij Rrugor. Këtë javë prezantohet paketa e zgjeruar financiare, ku do të përfshihen dhe bizneset e vogla që nuk u mbyllën, por përballen me vështirësi, si rezultat i ndikimit të emergjencës koronavirus në ekonomi.