Aktualitet

Lëndë plasëse në Elbasan, merren në pyetje banorë të pallatit!

Policia doli me një njoftim zyrtar në lidhje me lëndën plasëse të vendosur në një pallat në Elbasan. Paraprakisht mësohet se blutë kanë marrë pyetje edhe fqinjët e personit të cilit i përket apartamenti ku ndodhi shpërthimi rreth mesnate.  Gjithashtu, policia ka marrë informacion të detajuar edhe për aktivitetin e familjarëve të familjes së pronarit të apartamentit.

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 00:05, të datës 01.05.2025, në lagjen “Partizani”, në katin e parë të banesës së shtetasit A.P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në një tjetër zhvillim, një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë një parkingu të një spitali në rrugën “Pjetër Budi”, Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, lënda plasëse është vendosur në gomën e parë të një makine në pronësi të një shtetaseje me inicialet M.K. Fatmirësisht si pasojë e shpërthimit nuk ka të lënduar vetëm, dëme materiale. Vijon puna për kapjen e autorit/ve.

Njoftimi policor:

Rreth orës 03:55, të datës 01.05.2025, në rrugën “Pjetër Budi”, dyshohet se në parkingun në afërsi të një spitali, është vendosur një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse në gomën e parë të automjetit në pronësi të shtetases M.K. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe sqarimin e rrethanave të rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.