Leonardo DiCaprio dhe Al Pacino janë rikthyer në qendër të vëmendjes së medieve, pasi u fotografuan të enjten në mbrëmje duke darkuar së bashku në restorantin e njohur Madeo në Hollywood. Dy aktorët ikonë të kinemasë u panë në humor të mirë, duke dëshmuar miqësinë e tyre të gjatë.
DiCaprio, 50 vjeç, zgjodhi një paraqitje të thjeshtë dhe tërësisht të zezë, duke përfshirë kapelë sportive dhe xhaketë, ndërsa Pacino, 85 vjeç, u shfaq më elegant me një xhaketë gri kostumi të kombinuar me pantallona të zeza.
Të dy dolën nga restoranti dhe u drejtuan për në të njëjtën makinë, duke vazhduar bisedën edhe gjatë rrugës.
Pamjet treguan një atmosferë miqësore dhe relaksuese mes dy yjeve, të cilët kanë një histori të veçantë profesionale.
Ata bashkëpunuan për herë të parë në filmin e Quentin Tarantino-s “Once Upon a Time… in Hollywood” (2019), një përvojë që DiCaprio e ka cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Që nga ajo kohë, DiCaprio dhe Pacino janë parë shpesh në darka private dhe ngjarje të ndryshme në Los Angeles.
Ky takim i fundit vjen pak ditë pas premierës së filmit të ri të DiCaprios, “One Battle After Another”, ku ai u shoqërua nga partnerja, modelja Vittoria Ceretti, ndërsa Pacino vazhdon të jetë një figurë aktive dhe e respektuar e industrisë së filmit, me një karrierë të pasur me çmime që e afron pranë statusit të rrallë EGOT.