Lewis Hamilton ka treguar edhe një herë pse konsiderohet jo vetëm kampion në pistë, por edhe jashtë saj. Gjatë një vizite në fabrikën e Ferrarit në Maranello, pak ditë para festave të fundvitit, piloti britanik surprizoi të gjithë stafin me dhurata personale.
Hamilton shpërndau për çdo punonjës kuti tradicionale britanike nga Fortnum & Mason, të mbushura me çaj anglez, biskota dhe çokollata, të shoqëruara me një kartolinë të firmosur prej tij dhe mesazhin: “Happy Holidays, From Lewis”.
Gjesti u prit me shumë emocion nga punonjësit, veçanërisht në një sezon sfidues për shtatë herë kampionin e botës.
Edhe pse rezultatet në pistë nuk kanë qenë gjithmonë ideale, Hamilton vazhdon të fitojë respekt me karakterin dhe lidershipin e tij.
Në moshën 40-vjeçare, me kontratë aktive edhe për dy sezone, Hamilton dëshmon se mbetet një figurë frymëzuese në Formula 1, një lider i vërtetë, brenda dhe jashtë pistës.