Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, uroi Kosovën me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në mesazh, theksoi:
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës.
Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka pranuar mesazh urimi edhe nga presidenti Donald Trump ku thuhej se “Trump e përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” e vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.
Kosovën e uroi edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke rikujtuar se në shkurt të vitit 2008, shteti gjerman ishte ndër të parët që i njohu shtetësinë.
Gjatë këtyre viteve, vazhdimisht kemi thelluar bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva europiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet”.
Franca mbetet aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin e perspektivën europiane të saj.
Në mesazhin e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, theksohet se vendi i tij “mbetet partner i përkushtuar i Kosovës” dhe se ai mbështet “përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik e fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”.
“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë”, tha në mesazhin e tij të urimit mbreti britanik, Charles III.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë. Sot vendi njihet nga më shumë se 100 shtete të botës, por ende nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara apo i organizatave të tjera si Bashkimi Europian e Këshilli i Europës.
Për të ecur drejt integrimit, Kosovës i duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Të dy vendet janë në negociata për rreth 14 vjet, por ende larg qëllimit përfundimtar.