Rajoni

Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se mbështet dhe mirëpret dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.

LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.

Abdixhiku theksoi se asnjëherë, zgjedhjet nuk kanë qenë alternativë e preferuar e LDK-së, si edhe shprehu gatishmërinë e partisë që të marrë pjesë në konsultime për caktimin e datës.

Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit.

Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori dekret për shpërndarjen e parlamentit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë Kosovën në zgjedhje”.

Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës.

Përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura, ndonëse deputetët i patën 23 ditë për ta finalizuar procesin prej konstituimit të institucionit. Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq, shtoi Osmani.

Osmani tha se do t’i shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve me drejtuesit e partive politike.

Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime të rrezikshme.

Për Vjosa Osmanin, zvarritjet do të krijonin situata të tjera edhe më të rrezikshme.

Pa qartësi kushtetuese, një proces i zvarritur pa fund, siç e kemi parë edhe më 2025-ën dhe një shtet që fillon ta relativizojë edhe vetë Kushtetutën e tij.