Në Kosovë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi sot se është hapur njëra prej dy urave që qeveria Kurti nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe.
Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re, shkroi Sveçla në Facebook.
Ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi Ibër, autoritetet kosovare e filluan edhe pse pati kundërshtime të forta nga serbët lokalë e reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Vazhdimisht, qeveria e Kosovës ka thënë se ndërtimi i këtyre urave për këmbësorë dhe automjetet, synon të lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.
Ekzekutivi ndau rreth tre milion euro për ndërtimin e tyre dhe tha se të dyja do të përfundonin në vjeshtë. Ndërtimi u refuzua nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon përkrahjen e Beogradit. Kjo parti organizoi edhe një peticionin që mori mbi 3.500 nënshkrime.
Bashkimi Europian u shpreh se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike e politike”, duke shtuar se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë e dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
Eshtë e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale.
Ndërsa filluan punimet për ndërtimin, prokurorët njoftuan se kishin autorizuar hetime, për shkak të dyshimeve për shpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.
Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ndau të dhëna të tjera. Ura kryesore mbi Ibër është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo urë njihet për përplasjet etnike pas luftës ndaj është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.
Kosova dhe Serbia patën rënë dakord që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.