Rajoni

Qeveria e Kosovës miraton propozimin për dërgimin e FSK-së në Gaza/Vendimi i kalon Kuvendit!

Qeveria e Kosovës miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvend. Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi:

Jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi, Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve, në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së pritet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para, bashkë me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin e Shqipërinë, që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave e sa do të jetë numri i tyre. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur më herët se propozim-vendimi për këtë çështje ishte përcjellë në qeveri, më 3 mars.

Vendimi i qeverisë vjen me funksionalizimin e punës së Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, që ka hapur rrugën për trajtimin e çështjeve të tilla.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundon më 4 prill.