Policia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme përreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Si rezultat, 7 administratorë lokalesh janë proceduar penalisht, ndërsa janë sekuestruar rreth 330 objekte që shërbenin për aktivitetet e tyre ekonomike, të vendosura pa leje.
Gjatë operacionit, është proceduar penalisht edhe një 40-vjeçar, punonjës në një prej lokaleve, i cili kundërshtoi punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) gjatë ndërhyrjes për lirimin e hapësirës.
Sipas Policisë, hapësirat e zëna përfshinin trotuare dhe vendkalime për këmbësorë, të bllokuara me tavolina, çadra dhe ulëse të vendosura nga subjektet përreth stadiumit. Aksioni u zhvillua nga Komisariati Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe IMT-në.
Personat ndaj të cilëve është nisur procedimi penal në gjendje të lirë janë shtetasit A.S., N.R., Xh.B., M.S., K. M., L.L. dhe B.K., nën akuzën për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Po ashtu, për shtetasin F.P. nisi procedimi për kundërshtim të punonjësit të shtetit.