Aktualitet

“Tokat e xanuna” në Tiranë, Rama paralajmëron: Gjoba dhe ndjekje penale!

Kryeministri Edi Rama paralajmëron personat që padrejtësisht kanë zënë hapësirat publike në Tiranë se do të përballen jo vetëm me gjoba, por edhe me ndjekje penale. Duke postuar disa foto nga zona e kryqëzimit të 21 Dhjetorit në kryeqytet, Rama thekson se nuk do të ketë tolerime për këto veprime.

Në një postim në X, shefi i qeverisë shkruan:

Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuare e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cenim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë… Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!