Pas 4 vitesh në qeli, Gjykata e Posaçshme, GJKKO mori vendim për të nxjerrë nga qelia Lefter Kokën, ish-ministrin e Mjedisit, i cili qëndron në burg prej dhjetorit të vitit 2021.
Shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme ka shuar masën për inceneratorin e Fierit. Çështja e inceneratorit është kthyer për rigjykim, por ende nuk është regjistruar në Apel. Në këtë kuptim, i ka përfunduar afati i mbajtjes në paraburgim përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë.
Koka u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për inceneratorin e Elbasanit dhe 2 për të Tiranës e të dyja dënimet janë konsideruar të kryera nga gjykata.
Sipas SPAK-ut, për inceneratorin e Fierit janë paguar 4 milion euro për punime që nuk janë kryer, ndërsa dëmi i shkaktuar Buxhetit të Shtetit vlerësohet në 60 milion lekë. GJKKO-ja ka shuar gjithashtu masën e sigurisë për këtë çështje, teksa dosja është kthyer për rigjykim në Apelin e Posaçëm, pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Në korrik të këtij viti, Koka u lirua me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku kishte marrë një dënim prej 6 vitesh e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, për inceneratorin e Fierit ai është dënuar në Shkallë të Parë me 6.8 vite dhe për atë të Tiranës me 2 vite burg. Në rastin e Tiranës, masa e sigurisë “Arrest në burg” është shuar pasi koha e paraburgimit e ka ezauruar plotësisht dënimin.