Aktualitet Lajmet e fundit

Dhunuan shoferin e kamionit, gjykata e Korçës liron nga qelia vëllain e Bledjon Nallbatit!

Gjykata e Korçës ka liruar nga qelia Alti Nallbatin, vëllain e kandidatit të PD-së Bledjon Nallbati, i cili u arrestua pak ditë më parë për dhunën e ushtruar ndaj një shoferi kamioni në Bilisht. 42-vjeçari është lënë në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 06.05.2025 ora 12.30 seanca me objekt: “Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktimin e masës së sigurimit “Detyrim per t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.N i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” parashikuar nga nenet 274/1 dhe 293 të Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të gjykimit, vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim per t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për këtë shtetas-njofton Gjykata.

Avokati Nevzat Tarelli, në një prononcim për mediat, shpjegoi se çfarë ndodhi në seancë dhe se ka qenë Prokuroria që ka kërkuar masën e detyrimit të paraqitjes. Por edhe kjo masë kundërshtohet nga mbrojtja me argumentin se nuk ekziston fakti penal.

Në vlerësimin tonë mungon edhe elementët e veprës penale të prishjes së qetësisë publikë që është kundërvajtje penale. Ka pasur një akt të motivuar nga OPGJ për shkak se aty ka ndodhur një incident një konflikt verbal midis dy persona dhe ka ndodhur në unazën e qytetit të Bilishtit, tek rrethrrotullimi i Mirasit.  Në vlerësimin tonë nuk ekziston fakti kriminal i pretenduar si vepër penale, ka deklaruar avokati.