Aktualitet

U rikthye për pak ditë në qeli, Vangjush Dako përfundon dënimin!

Vangjush Dako shlyen dënimin me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Pasi u kthye në burgun e Durrësit në zbatim të vendimit të 16 shtatorit nga Apeli i GJKKO-së, që vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë mbi dënimin për “Shpërdorim detyre”, sot Dako la qelinë.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit përfitoi uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe dënimi final ndaj tij ishte 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Burime pranë SPAK-ut patën bërë me dije se në zbatim të vendimit të Apelit, Dako duhej të kthehej në qeli për të vuajtuar pjesën e mbetur të dënimit, por nuk saktësuan ditët apo javët.

Referuar kohës së qëndrimit në masën “Arrest në burg” dhe atë të “Arrestit në shtëpi”, llogaritej që Dako duhej të qëndronte afërsisht dy javë deri në përfundimin e dënimit, afat kohor që përfundoi sot.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Dako shpërdoroi detyrën gjatë procedurës së miratimit të lejes për ndërtimin e një pallati, si edhe projektimit për ndërtimin e një shëtitoreje në qytetin bregdetar. Dako u prangos me kërkesë të SPAK-ut në qershor 2023, si edhe u lirua në shkurt të vitit pasardhës.

Kjo për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit. Deri në shpalljen e vendimit në Apel, ish-zyrtari i lartë vendor qëndroi në “Arrest shtëpie”. Në të njëjtin vendim me Dakon, Apeli i Posaçëm la të pandryshuar dënimin me nga 2 vjet burg për të bashkëpandehurit Fiqiri Farruku dhe Edmond Bulku, të fajësuar për “Falsifikim të dokumenteve”, dënim që iu konvertua në Shërbim Prove.