I ftuar mëngjesin e sotëm në Live From Tirana për të folur mbi masat e marra për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe telemjeksinë ishte drejtori i spitalit Salus, Anri Beshello.
Gjatë intervistës për mikrofonin e TAR ai tregoi se spitali Salus menjëherë ka marrë masat e duhura për parandalimin e përhapjes së pandemisë në ambientet e spitalit që janë të domosdoshme për të mbrojtur stafin dhe pacientët.
Anri zbulou se që nga momenti i parë i përhapjes së pandemisë në vendin tonë, Salus ka ndërprerë të gjitha shërbimet, përveç atyre të urgjencës duke respektuar urdhrin e qeverisë.
“Spitali Salus shërben si promotor shëndeti dhe promotor parandalimi. Ne kemi lënë hapur për qytetarët shërbimin e urgjencës. Kemi dezifektuar ambientet tona dhe kemi pajisur të gjithë stafin me mjetet dhe veshjet e duhura që të mbrojmë ata ashtu si pacientët” -tha drejtori i Salus.
Ai gjithashtu shtoi se Salus ka vënë në dispozion numra telefoni për të gjithë pacientët kronikë që ishin duke u ndjekur nga mjekët e tyre në mënyrë që të punojnë së bashku në të mirë të pacientëve. Sipas tij, në këtë kohë të vështirë telemjeksia është shumë e rëndësishme dhe krahas detyrës, mjekët në këtë rast shërbejnë edhe si psikologë.