Sport

Liverpuli kampion, me sy dhe mendje te sezoni i ri

Me titullin e 20-të të arkivuar, Liverpuli ka nisur të planifikojë se si të fitojë titullin nr. 21, me klubin që pritet të bëjë një investim të madh këtë verë. “Reds” fituan Premier Ligën të dielën, pas një suksesi 5-1 ndaj Totenhemit dhe po përgatiten për një dritare të ngarkuar transferimesh, duke përfituar nga suksesi i titullit.

Pronarët e “Fenway Sports Group” do të mbështesin trajnerin Arne Slot për të bërë disa blerje. Përparësi ka një sulmues, por edhe përforcimet në mbrojtje. Milos Kerkez i Bornmëthit dhe Din Huijsen janë në listën e dëshirave të tyre, por pëlqehet gjithashtu edhe sulmuesi i Aintrahtit të Frankfurtit, Hygo Ekitike.

LEXO EDHE: Liverpuli 20 herë kampion, Arne Slot futet në histori, Mohamed Salah rekordmen

Në planet e Arne Slotit është edhe një mesfushor. Por, disa lojtarë mund të largohen gjithashtu nga “Anfield”. Trent Aleksander-Arnold ka një ofertë të madhe nga Reali i Madridit, por ende nuk është nënshkruar asgjë. Edhe Darvin Nunjez ka gjasa të largohet.

Liverpuli do ta shëtisë trofeun nëpër rrugët e qytetit më 26 maj, të hënën që është pushim zyrtar. Heronjtë e Slotit do të ngjiten në një autobus me tavan të hapur në orën 14:30, një ditë pasi të kenë ngritur trofeun kundër Kristal Palasit në “Anfield” dhe do të nisin një udhëtim pranë shumë vendeve ikonike. Duke ndjekur të njëjtin itinerar si paradat në vitet 2019 dhe 2022, ajo do të fillojë në “Allerton Maze”, në jug të qytetit. Ata do të udhëtojnë në drejtim të veriut përgjatë “Queens Drive” drejt rrethrrotullimit “Fiveways” dhe në “Rocket flyover”.

Më pas, autobusi do të vijojë rreth “Mill Bank”, “West Derby Road”, “Islington”, “Leeds Street” dhe “The Strand”, përpara se të përfundojë në “Blundell Street”. Duke reflektuar mbi emocionin e të qenit kampion i Anglisë, mbrojtësi Ibrahima Konate tha: “Pas ndeshjes (kundër Totenhemit), hyra në stadium dhe u ula në tribunë që të ndihesha si tifoz. Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndjeva. Isha pranë lotëve. Është e pabesueshme. Tani duhet ta shijojmë vërtet”.