Aktualitet

Lorik Cana nga Samiti i Diasporës: Ngritja lart e emrit të shqiptarëve anembanë botës, ka qenë krenaria më e madhe që kam përjetuar!

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka marrë pjesë ditën e sotme në Samitin e Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, ku edhe është dekoruar nga Presidenti Bajram Begaj.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Cana tha se krenaria më e madhe e jetës së tij ka qenë ngritja lart e emrit të shqiptarëve anembanë botës.

“Vërtetë rrugëtimi im në ato kohë ka qenë i vështirë. Duke u rikthyer në këtë Samitin e Diasporës një djalë shqiptar i Kosovës, i emigruar dhe me pasionin dhe dashurinë e tij, jo vetëm kemi bërë mirë për familjarët tanë, por jemi munduar të ngremë lart emrin e shqiptarëve anembanë dhe kjo ka qenë krenaria ime më e madhe që kam përjetuar unë dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet që është sporti dhe futbolli, pastaj aty e kupton që ke një përgjegjësi më të madhe. Jemi munduar që gjithmonë ta ngremë dhe konsolodojmë komunitetin tonë dhe të japim një shembull”, tha mes të tjerash Lorik Cana.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekoruar sot disa personalitete të Diasporës shqiptare, gjatë Samitit të Diasporës të mbajtur në Tiranë.

Gentian Toshkezi u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin Suprem të Shqiponjës’.

Futbollisti Lorik Cana u dekorua nga Presidenti Begaj me titullin ‘Kalorës në Urdhërin e Skënderbeut’.

Klarita Gërxhani u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin e Kalorësit Lisit Akademik’.

Shqiponj Telhaj po ashtu u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin e Kalorësit Lisit Akademik’.