Celebrities Gossip Showbiz

Lot, lule dhe dhimbje në funeralin e Jake Hall! Ish-partneret dhe yjet e TOWIE i japin lamtumirën e fundit!

Një atmosferë e rënduar nga dhimbja mbizotëroi në Londrën Lindore, ku familjarë, miq dhe figura të njohura të televizionit britanik u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-yllit të “The Only Way Is Essex”, Jake Hall.

35-vjeçari humbi jetën tragjikisht pesë javë më parë në Mallorca të Spanjës, pasi pësoi lëndime fatale në kokë kur u përplas me një derë xhami në vilën ku po qëndronte gjatë pushimeve.

Ceremonia mortore u zhvillua në kishën historike St Mary the Virgin në Wanstead të Londrës, ku të pranishmit nuk i fshehën emocionet ndërsa përcollën për në banesën e fundit personazhin e njohur televiziv.

Mes të pranishmëve ishin dy ish-partneret e tij më të njohura, Chloe Lewis dhe Misse Beqiri. Chloe mbërriti në kishë e shoqëruar nga mikja e saj Georgie Fisher dhe motra Abbie Morgan, ndërsa Misse, me të cilën Hall kishte vajzën tetëvjeçare River, i bëri një homazh prekës në rrjetet sociale duke publikuar një fotografi intime të tyre.


Korteshi mortor u drejtua nga një Rolls-Royce i zi i zbukuruar me kompozime lulesh ku lexohej “Dad” dhe “Brother”, një detaj që preku shumë nga të pranishmit.


Në funeral morën pjesë edhe shumë emra të njohur nga bota e spektaklit britanik, përfshirë Lydia Bright, James “Arg” Argent, Demi Sims, Tommy Mallet, Georgia Kousoulou dhe Liam Blackwell.

Të pranishëm ishin gjithashtu boksieri Derek Chisora, këngëtari Tom Grennan, DJ Fat Tony, motivuesja Roxie Nafousi si dhe Sandra Beckham, nëna e David Beckham, së bashku me motrën e tij Joanne.

Sipas raportimeve, Hall kishte mbërritur në Mallorca më 5 maj dhe kishte kaluar mbrëmjen në Palma me miq. Mëngjesin e 6 majit, rreth orës 07:15, fqinjët dëgjuan një zhurmë të fortë dhe thyerje xhami. Autoritetet spanjolle konfirmuan më vonë se nuk kishte asnjë element kriminal në ngjarje dhe se vdekja konsiderohet aksidentale.

Pas tragjedisë, Misse Beqiri publikoi një mesazh prekës kushtuar ish-partnerit të saj dhe babait të vajzës së tyre.

Nuk e mendoja kurrë se do të më duhej të shkruaja këto fjalë. Zemra ime është e copëtuar, ashtu si edhe e vajzës sonë. Ti ndriçoje çdo dhomë ku hyje me buzëqeshjen, energjinë dhe shpirtin tënd. Ishe shumë i dashur nga kaq shumë njerëz

-shkroi ajo.

Edhe miqtë dhe kolegët e Hall reaguan me dhimbje pas lajmit të vdekjes së tij. DJ Fat Tony e quajti humbjen e tij “shkatërruese”, ndërsa yje të tjerë të televizionit britanik publikuan mesazhe prekëse në kujtim të tij.

Postimi i fundit i Jake Hall në Instagram, vetëm disa orë para vdekjes, e tregonte atë duke pikturuar në Mallorca. Krahas fotografisë ai kishte shkruar:

Jeta ndonjëherë është e vështirë, por po përpiqem të kujtoj gjërat e mira. Po krijoj art në forma të ndryshme.

Fjalë që sot marrin një kuptim edhe më të dhimbshëm për familjen, miqtë dhe fansat e tij.