Vendet në kufi me Izraelin jo vetëm që përballen me kriza ekonomike, por lufta Izrael-Hamas që vijon prej 7 tetorit po rrezikon të përkeqësojë edhe më shumë stabilitetin financiar, shëndetësor e politik në Egjipt, Jordani e Liban, si dhe të krijojë probleme shtesë më gjerë.
Secili prej tre shteteve përballet me presione të ndryshme financiare e kjo gjendje e ka nxitur Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN që t’i paralajmërojë se mund të humbasin “stabilitetin socio-politik”.
Ky paralajmërim erdhi pak pasi Hamasi sulmoi Izraelin, më 7 tetor, duke nxitur një luftë që lehtësisht mund të shkaktojë kaosin me të cilin më pas duhet të merren presidenti amerikan, Joe Biden dhe Bashkimi Europian.
Përkeqësimi i mundshëm i situatës po analizohet nga liderë botërorë e analistë politikash. Për administratën Biden, e cila është e përkushtuar në parandalimin e zgjerimit të luftës Izrael-Hamas, konflikti mund t’i shumëfishojë problemet e mund të shkaktojë kolaps qeveritar në disa vende.
Nëse konflikti përshkallëzohet, mund të përfshijë rajonin, i cili është jetik për furnizimet globale me naftë.
Christopher Swift, avokat ndërkombëtar dhe ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit vlerëson:
Sa më të paqëndrueshme janë gjërat në aspektin ekonomik, aq më e lehtë është për aktorët negativë në rajon që t’i lëvizin gjërat.
Shefi i Bankës Botërore, Ajay Banga paralajmëroi se lufta e vendos zhvillimin ekonomik në “nyje të rrezikshme”.
Situata financiare është mjaftueshëm serioze, pasi javën e kaluar, Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian takoi zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe iu tha zyrtarëve se duhet bërë më shumë për të mbështetur Qeverinë e Egjiptit, që sipas tij është nën presion të madh për shkak të mundësisë së rritjes së numrit të refugjatëve nga Gaza. Po ashtu nga Sudani, pasi banorët atje janë duke i ikur luftës civile.
Nga lufta Izrael – Hamas, një tjetër dëm i madh potencial për Egjiptin mund të jetë humbja e numrit të turistëve, që shkojnë atje për të vizituar piramidat e lashta. Turizmi është një prej sektorëve kyçë për ekonominë e Egjiptit.
Ndërkohë, ekonomia e Libanit është tkurrur ndjeshëm në periudhën 2019-2021, sipas Bankës Botërore. Donatorët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Katarin kanë subvencionuar pagat e ushtarëve të Libanit.
Liderët e këtij shteti nënshkruan një marrëveshje me FMN-në në prill të vitit 2022, për një paketë financiare shpëtimi, por nuk kanë arritur të realizojnë shumicën e reformave të kërkuara për ta finalizuar marrëveshjen.