Bota

Lufta Izrael-Iran, vendndodhja dhe rëndësia e Ngushticës së Hormuzit!

Lufta mes Izraelit dhe Iranit po destabilizon botën, jo vetëm Lindjen e Mesme. Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara po kërcënojnë me sanksione të reja kundër regjimit të Teheranit (para se të vendosin për një sulm të mundshëm ushtarak), Republika Islamike po shqyrton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Një vendim që do të kishte pasoja të mëdha për të gjithë botën, duke pasur parasysh se një e pesta e naftës së shpërndarë dhe të konsumuar në të gjithë planetin kalon nëpër të.

Ku ndodhet Ngushtica e Hormuzit?

Ndodhet midis Omanit dhe Iranit. Lidh Gjirin e Veriut me Gjirin e Omanit, në jug dhe Detin Arabik. Eshtë vetëm 33 km e gjerë në pikën më të ngushtë. Korsia e transportit detar është vetëm 3 km e gjerë në të dy drejtimet. Kushtet gjeografike e bëjnë shumë të lehtë bllokimin e saj. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite janë përpjekur gjatë viteve të gjejnë rrugë të tjera për të anashkaluar kërkesën për të kaluar nëpër Ngushticë, duke përfshirë mundësinë e ndërtimit të tubacioneve të reja. Por për momentin është një rrugë pothuajse e detyrueshme për anijet cisternë të naftës që lundrojnë nga vendet lindore të pasura me naftë drejt Europës.

Përse është kaq strategjike?

Çdo ditë, rreth një e pesta e konsumit të përgjithshëm të naftës në botë kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke e bërë atë pjesën më të ngarkuar të detit në botë. Mesatarisht, 20.5 milion fuçi naftë bruto dhe produkte nafte kaluan nëpër Ngushticë çdo ditë nga janari deri në shtator 2024.

Anëtarët e OPEC-ut (Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku) eksportojnë pjesën më të madhe të naftës së tyre përmes kësaj ngushtice.

Përveç kësaj, Katari, eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm, e përdor për të dërguar rreth 80 milion ton në vit. Pasoja e parë dhe e menjëhershme e mbylljes së mundshme të Ngushticës do të ishte një rritje e çmimeve të naftës dhe gazit natyror.

Mbrojtja e Ngushticës

Nuk është rastësi që Flota e Pestë e SHBA-ve e ka selinë qendrore në Bahrein dhe ka si detyrë kryesore mbrojtjen e anijeve tregtare në të gjithë zonën.