Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Të buzëqeshur dhe krah përkrah me njëri tjetrin, kreu i qeverisë shprehet se ky është ai moment kur e paimagjinueshmja bëhet e mundur dhe i thua Rutte-s shihemi në Shqipëri për samitin e ardhshëm të NATO-s.
“Ai momenti i krenarisë kur të bëhet zemra mal, pasi kalojnë vite me shumë punë e durim të madh dhe vjen dita kur e paimagjinueshmja bëhet e mundur, e i thua Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s:
Shihemi në Shqipëri për samitin e ardhshëm”, shkruan Rama krah fotos së publikuar.
Gjatë deklaratës së tij pas përfundimit të samitit të NATO-s, Mark Rutte ka konfirmuar se samiti i radhës do të mbahet në Shqipëri.
Gjithsesi ai shtoi se palët tani janë në bisedime për të vendosur se kur do të bëhet ky samit.
“Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri, ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën se kur”, tha Rutte.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe Kryeministri Rama, i cili me anë të një video të postuar në rrjetet sociale, krah kabinetit të tij qeverisës thotë:
“Si thanë? Nuk do bëhet samiti në Shqipëri. Kështu thanë? Epo ka ikur ajo kohë kur bëhej çfarë të donin të tjerët në Shqipëri. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që samiti i ardhshëm do të bëhet në Tiranë”.