Bota

Luftimet në Sudan, vazhdon evakuimi i shtetasve të vendeve të huaja!

Vendet europiane, Kina e të tjera shtete të botës po vazhdojnë të evakuojnë mijëra qytetarë nga Kartumi, ndërsa duket se sot në kryeqytetin sudanez ka një ndërprerje të luftimeve të ashpra mes ushtrisë e një force paramilitare. Shpërthimi i papritur i dhunës nxiti krizë humanitare dhe nga luftimet janë vrarë 420 persona.

Me miliona sudanezë që kanë mbetur pa akses në shërbimet bazike e janë bllokuar në shtëpi, mijëra diplomatë të huaj, punonjës të ndihmës humanitare, studentë dhe familjet e tyre po ashtu u bllokuan në këtë shtet afrikan për shkak të luftimeve. Avionët luftarakë kanë bombarduar kryeqytetin Kartum dhe aeroporti kryesor u bë qendër e luftimeve. Edhe diplomatët ishin shënjestër e sulmeve e të paktën pesë punëtorë të ndihmës u vranë.

Pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga vendet e huaja që kanë shtetas brenda Sudanit e që nga palët kërkojnë të ndalojnë luftimet, as ushtria dhe as forcat paramilitare nuk u janë përmbajtur marrëveshjeve për armëpushime të përkohshme. Megjithatë, intensiteti i luftimeve ra në fundjavë, mjaftueshëm që Shtetet e Bashkuara të evakuonin stafin e ambasadës përmes helikopterëve ushtarakë, duke nxitur shtetet e tjera të nisnin shpejt evakuimet.

Të paktën dy autokolona, të përfshira në evakuime ishin objektiv i sulmeve, përfshirë një që po transportonte stafin e Ambasadës së Katarit dhe një tjetër me shtetas francezë.

Franca dhe Gjermania thanë se kanë evakuuar rreth 700 persona, por nuk dhanë detaje. Indonezia, Kina, Danimarka, Libani, Holanda, Zvicra, Suedia janë mes shteteve që po largojnë qytetarët. Të tjera si Japonia, po përgatisin operacionet e evakuimit.

Në Sudan po luftojnë pjesëtarët e ushtrisë, që udhëhiqet nga Abdel Fattah al-Burhan dhe të grupit paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, nën drejtimin e zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo.

Këta dy ish-aleatë morën pushtetin përmes një grushti shteti në vitin 2021. Por, më pas patën mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit. Ushtria rrëzoi nga pushteti Omar al-Bashirin në prill të vitit 2019, pas protestave masive kundër sundimit të tij me grusht të hekurt prej tre dekadash. Në tetor 2021, Burhan dhe Daglo bashkuan forcat dhe rrëzuan qeverinë civile të instaluar pas rrëzimit të Bashirit, duke penguar tranzicionin në sundim demokratik.