Bota

Luigi Mangione mund të përballet me dënim me vdekje në SHBA!

Luigi Mangione i dyshuar për vrasjen e drejtuesit ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve shëndetësore “UnitedHealth Group”, Brian Thompson, u akuzua në një sallë gjyqi në Manhatan për vrasje dhe përndjekje. Po ashtu, ndaj tij rëndojnë akuza në nivel shtetëror për vrasje dhe terrorizëm, të njoftuara më parë nga prokurorët e Nju Jorkut.

Sipas aktpadisë penale, prokurorët federalë në Manhatan kanë akuzuar 26 vjeçarin për vrasje me armë zjarri, dy akuza për përndjekje dhe një për përdorimin e një arme me silenciator. Po kështu, Luigi Mangione akuzohet se prej muajsh ka planifikuar vrasjen, i nxitur nga urrejtja për industrinë e sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesit e pasur të korporatave.

Luigi Mangione u dërgua në mjediset e paraburgimit të policisë së Nju Jorkut, nga Pensilvania, shteti ku u arrestua pas një operacioni pesëditor për kapjen e tij. Ai zbriti nga një helikopter, i shoqëruar nga një grup i madh policësh. I pranishëm ishte dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, i cili e quajti “mizori” vrasjen e Thompson-it.

Policia e Altonës në Pensilvani gjeti një bllok që dyshohet se e kishte Luigi Mangione, me disa faqe të shkruara me dorë e “ku shprehet zemërimi ndaj industrisë së sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesve pasur të saj, në veçanti”. Policia i gjeti edhe një letër drejtuar “agjentëve federalë” ku thuhej:

Nuk kam punuar me askënd.

Në fillim të kësaj jave, një juri e madhe në Nju Jork ngriti padi ndaj 26 vjeçarit me 11 akuza, përfshirë vrasje të shkallës së parë dhe si akt terrorizmi. Ato mund të marrin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm. Luigi Mangione ka qenë në paraburgim që nga arrestimi i tij dhe nuk është deklaruar fajtor ose jo.

Avokatja mbrojtëse, Karen Friedman Agnifilo, u shpreh se autoritetet e kanë akuzuar për krime më të rënda nga sa tregojnë faktet dhe se ai do ta kundërshtojë çështjen në gjykatë. Luigi Mangione u arrestua në Altona më 9 dhjetor, pesë ditë pasi Thompson u qëllua për vdekje me armë zjarri jashtë një hoteli në Manhatan, përpara një konference të kompanisë. Zyrtarët e zbatimit të ligjit folën për “atentat të paramenduar”.

Teksa vrasja e Thompson-it është dënuar gjerësisht, Luigi Mangione u vlerësua si hero popullor nga disa amerikanë, të cilët dënojnë kostot e larta të kujdesit shëndetësor dhe fuqinë që kanë kompanitë e sigurimeve, për të mohuar pagesat për disa trajtime mjekësore.

Prokurorët federalë mund të kërkojnë dënimin me vdekje për akuzën federale të vrasjes, një dënim që është hequr në shtetin e Nju Jorkut prej dekadash. Ata thonë se Luigi Mangione udhëtoi me autobus nga Atlanta për në Nju Jork, përpara vrasjes së Thompson-it e gjithashtu përdori celularin dhe internetin për të planifikuar e kryer sulmin, ndaj kanë juridiksion mbi çështjen.

Avokatja e tij i tha gjykatës se i dyshuari nuk do të kërkonte të lirohej me kusht dhe gjykatësja Katharine Parker urdhëroi që të qëndronte në paraburgim. Atij do t’i kërkohet të deklarohet nëse është ose jo fajtor në seancën e radhës.

Ne jemi të gatshëm t’u kundërvihemi atyre në çdo gjykatë që ato do të ngrihen.

Në Pensilvani, policia tha se në momentin e arrestimit, në një restorant, Luigi Mangione kishte një pistoletë të montuar vetë në çantën e shpinës dhe një silenciator të bërë po vetë.

Luigi Mangione nga shteti i Merilendit e që kishte jetuar në Hauai, mbante dokumente të shumta identifikimi të falsifikuara. Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, e ka akuzuar për terrorizëm sipas ligjeve të Nju Jorkut, sepse “vrasja e Thompson-it kishte për qëllim të frikësonte civilët ose të ndikonte te politikat e një njësie të qeverisë”.