Një gjyqtar në Nju Jork ka rrëzuar dy akuza për terrorizëm ndaj Luigi Mangione, i dyshuari për vrasjen e Brian Thompson, drejtorit ekzekutiv të UnitedHealthcare. Megjithatë, gjykatësi Gregory Carro vendosi që akuza për vrasje të shkallës së dytë të qëndrojë, duke i hapur rrugë procesit gjyqësor.
Gjatë seancës dëgjimore të së martës, Carro argumentoi se prokurorët nuk kishin paraqitur prova të mjaftueshme që veprimet e Mangione-s të përmbushnin kriteret ligjore të terrorizmit sipas ligjit shtetëror.
Sipas tij, shkrimet e lëna nga i pandehuri nuk tregonin synime për të ushtruar presion politik mbi qeverinë apo për të terrorizuar publikun – elementë thelbësorë të ligjit të miratuar pas 11 shtatorit 2001.
Nuk u paraqitën prova që i pandehuri i bëri ndonjë kërkesë qeverisë ose kërkoi ndryshime politike përmes frikësimit ose shtrëngimit
-shkroi gjyqtari në vendimin e tij.
Mangione akuzohet se vrau Thompson-in më 4 dhjetor të vitit të kaluar në një rrugë të ngarkuar në Manhattan, duke e qëlluar tre herë.
Pas një kërkimi pesë-ditor, ai u arrestua në një restorant McDonald’s në Pensilvani, rreth 480 kilometra larg vendngjarjes. Sipas policisë, ai kishte lënë një shënim ku kritikonte kompanitë shëndetësore për “korrupsion dhe lakmi”.
Nëse shpallet fajtor për akuzën e mbetur për vrasje të shkallës së dytë, Mangione përballet me 15 deri në 25 vjet burg.
Përveç kësaj, ai akuzohet edhe për krime me armë dhe falsifikim. Ndërkohë, ndaj tij po zhvillohen paralelisht edhe procedura federale për vrasje, të cilat mund të çojnë në dënim me vdekje.
Kërkesa e mbrojtjes për të shtyrë gjyqin shtetëror deri pas përfundimit të procesit federal u refuzua. Seancat gjyqësore janë caktuar të nisin më 1 dhjetor.
Jashtë Gjykatës Supreme të Manhattanit, një grup i vogël mbështetësish të Mangione-s u mblodhën me pankarta ku shkruhej: “Lironi Luigin” dhe “I pafajshëm derisa të provohet fajësia”.
Thompson, viktima, ishte baba i dy fëmijëve dhe drejtues i divizionit të sigurimeve në UnitedHealth Group – kompania më e madhe e sigurimeve shëndetësore në SHBA.