Shein është përfshirë në një skandal ndërkombëtar, pasi u zbulua se kompania kishte përdorur një imazh të Luigi Mangione – i akuzuar për vrasjen e CEO-së së UnitedHealthcare, Brian Thompson – si foto ilustruese për një këmishë të bardhë në faqen e saj zyrtare. Produkti, i shitur për më pak se 10 dollarë, u hoq vetëm pasi rasti u bë publik.
Një zëdhënës i Shein tha për BBC se fotografia ishte ofruar nga një palë e tretë dhe se u hoq menjëherë sapo u konstatua gabimi. Kompania ka nisur një hetim të brendshëm dhe ka premtuar forcimin e kontrolleve, si dhe marrjen e masave ndaj shitësit përgjegjës.
Ende nuk dihet për sa kohë fotoja ishte online dhe kush e ngarkoi.
Në rrjetet sociale u ngrit dyshimi se imazhi ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Një analizë e BBC Verify tregoi ngjashmëri 99,9% me një pamje reale të Mangione-s në gjykatë.
Eksperti Henry Ajder tha se imazhi mbante shenja manipulimi, si ndriçim jo të rregullt, teksturë të çuditshme të lëkurës dhe forma të paqarta të gishtave – duke sugjeruar se krijimi me AI do të ishte më i shpejtë sesa përpunimi manual.
Ky incident shkaktoi reagime të ashpra, pasi Mangione, 26 vjeç, ndodhet në pritje të gjyqit dhe ka mohuar akuzat. Prokurorët amerikanë kanë kërkuar dënimin me vdekje, ndërkohë që një pjesë e opinionit publik e ka quajtur atë “hero popullor”, duke organizuar protesta dhe fushata mbështetëse.
Shein nuk është i vetmi që përballet me kritika. Edhe platforma si Etsy dhe Amazon janë akuzuar për shitjen e produkteve me emrin e Mangione-s, duke ngritur pikëpyetje mbi etikën e kompanive të mëdha online. Vetëm pak muaj më parë, edhe Apple u detyrua të pezullojë një funksion të AI-së, pasi një njoftim i gjeneruar gabimisht sugjeronte se Mangione kishte kryer vetëvrasje.
Skandali ka rritur shqetësimet mbi kontrollin e përmbajtjes dhe përdorimin e imazheve në platformat globale të shitjes online.