Health & Beauty

Lulëzon nga qershori deri në tetor, ju prezantojmë me “bimën flutur”!

Gaura është një bimë nga familja e Onagraceae, e njohur për qëndrueshmërinë e saj të jashtëzakonshme. Ajo lulëzon edhe në kushte ku shumica e bimëve të tjera nuk mbijetojnë, në tokë shkëmbore, pa ujitje të rregullt dhe magjeps me pamjen e saj delikate dhe lulet shumëngjyrëshe që çelin javë pas jave. E quajtur ndryshe “bima flutur”, gaura është një shumëvjeçare vendase në Teksas dhe Luiziana.

Në habitatin e saj natyror, ajo rritet në zona të thata, shkëmbore dhe me ekspozim të plotë në diell, gjë që shpjegon edhe tolerancën e saj të jashtëzakonshme ndaj thatësirës dhe tokave të varfra. Forca e saj qëndron te përshtatjet natyrore që e bëjnë një kampione të mbijetesës. Rrënja e thellë deri në 1.5 metra, i mundëson të thithë ujë nga shtresat e thella të tokës, edhe në mungesë të reshjeve.

Gjethet me pushë të imta reduktojnë avullimin dhe ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë. Gaura është po ashtu jashtëzakonisht rezistente ndaj temperaturave të ulëta disa varietete mbijetojnë edhe deri në -15°C. Ndryshe nga shumica e bimëve dekorative, gaura nuk kërkon tokë të pasur me lëndë ushqyese. Kjo e bën atë të përsosur për kopshte me zhavorr, kopshte shkëmbore apo edhe zona përgjatë rrugëve, ku pak bimë mund të mbijetojnë.

Ajo që e bën gaurën veçanërisht tërheqëse është lulëzimi i saj i zgjatur; nga qershori deri në tetor dhe shpesh deri në ngricën e parë, ajo prodhon vazhdimisht lule të reja, zakonisht të bardha ose rozë, varësisht nga varieteti. Kur fryn era, lulet lëkunden lehtas, duke krijuar pamjen e një tufe fluturash në ajër nga kjo vjen edhe nofka e saj. Gaura kërkon shumë dritë, sa më shumë diell, aq më mirë.

Ajo preferon tokë të thatë dhe të kulluar mirë. Lagështia e tepërt është armiku i saj kryesor, veçanërisht gjatë dimrit, pasi mund të çojë në kalbjen e rrënjëve. Për këtë arsye, ajo është ideale për t’u mbjellë në vazo të thella, në shtretër me zhavorr apo në toka ku uji nuk qëndron gjatë. Koha më e mirë për mbjellje është pranvera ose fillimi i vjeshtës. Për mbjellje, hapni një gropë pak më të madhe se rrënjët e bimës.  Krasitja bëhet një herë në vit, në fund të dimrit; prisni kërcejtë e tharë rreth 10 cm mbi tokë. Me këtë lloj kujdesi, gaura mund të zgjasë deri në dhjetë vjet, e madje edhe më shumë nëse rritet në vazo dhe ruhen kushtet optimale.